Vendbanimet e vetë popullsia e Skraparit historikisht
i ka ndërtuar kryesisht mbi një terren të thellë
malor. Pjesa më e madhe e tyre ka qenë e përqendruar
në luginën e Osumit. Dendësi
më të madhe me vendbanime kanë patur zonat në
krahun e majtë të Osumit, të cilat dukej se
ofronin kushte natyrorë më të mire dhe më tepër
mundësi ekonomike për jetesë. Ndërsa një
pjesë e vogël vendbanimesh janë ndërtuar përgjatë
luginës së lumit Tomorrica (degë e majtë e Devollit),
nga e cila ka marrë edhe emrin krahina.
Nga të dhënat e deritansihme del se në trevat e Skraparit
janë vërejtur gjurmë të ekzistencës së
jetës qytetare qysh në kohët më të lashta.
Kryesore është se kjo jetë nuk është ndërprerë
thuajse asnjëherë për të arritur e plotë
deri në ditët tona.
Vend-ndodhja e banimeve të lashtë në Skrapar dëshmohet
me të dhëna të shumta arkeologjike. Deri më sot,
në këtë krahinë janë zbuluar mbi
20 qendra banimi me vlera të mëdha për studimin e kulturës
ilire të kësaj treve dhe më gjerë. Fondi
i madh i të dhënave arkeologjike i ka ndihmuar studiuesit
të dalin në përfundimin se jeta njerëzore në
to ka filluar të shfaqet qysh në mijëvjeçarin
X p.K..
Gjetjet më të rendësishme që flasin për një
periudhë të herëshme qytetare janë ato të
zbuluara në vend-banimin prehistorik të
Vlushës. Për studiuesit Vlusha klasifikohet si një
nga pikat ë kryesore në shkallë kombëtare, që
hedh dritë mbi kulturën prehistorike të popullit tonë,
sipas tyre, materiali arkeologjik i kësaj pike përfaqëson
qartazi kulturën qytetare të epokës
së Mezolitit dhe Neolitit të hershëm.
Të njëjtën vlerë për studiuesit paraqet edhe
pika arkeologjike e fshatit Leshnje.
Materiali arkeologjik i kësaj pike, që ndodhet rreth 4 km
në veriprëndim të Vlushës, i përket shekullit
XIII – X p.K.. Sipas studiuesve, kultura e ofruar nga
Leshnja ngjason me kulturën e hershme ilire, të zbuluar
në fshatin Tren të Korçës.
Fondin më të madh të gjetjeve arkeologjike në
këta dy stacione e përbën qeramika
me pikturim. Kjo është një lloj kulture që
ngjason në karakteristika e në tipare me qeramikën
e zbuluar në shumë qendra arkeologjike të Shqipërisë
Jug-Lindore.
Ekzistencën dhe zhvillimin e jetës qytetare ilire, në
krahinat e Skraparit e vërtetojnë edhe një numër
i madh vendbanimesh të fortifikuar.
Siç dihet, kjo kulturë banimi në vendin tonë
ka filluar të shfaqet qysh në epokën e Hekurit. Ndërsa
në këtë krahinë, të dhënat tregojnë
se vendbanime të tillë kanë lindur në periudhën
e dytë të Hekurit e në vazhdim. Madje, siç dëshohet
nga të dhënat arkeologjike, periudha ndërmjet mijëvjeçarëve
V – I p.K., në zonat e Skraparit
ka qenë mjaft e zhvilluar. Supozohet
që kjo të ketë qenë dhe periudha e lulëzimit
më të madh të jetës qytetare Ilire.
Materiale e përmbajtje domethënëse për kulturën
Ilire në Skrapar, sjellin zbulimet në vendbanimin e fortifikuar
të Gores, në fshatin Potom.
Sipas studiuesve, ai daton ndërmjet shekujve IV
– II p.K. dhe ka luajtur
më tepër rolin e një qendre qytetare vrojtuese.
Teknikat e ndërtimit e të punimit të përdorura
në Gore, janë të njëjta me kulturën e qytetit
antik të Antigonesë. Rolin e një qendre qytetare banimi
të fortifikuar e sjell edhe qyteza antike e Tërrovës.
Sipas dëshmive arkeologjike, në shekujt IV
– II p.K. jeta qytetare në trevat e fisit ilir të
desaretëve njohu një lulëzim
edhe më të madh. Pjesë përbërëse e saj
mendohet të ketë qenë edhe qyteti
Ilir i Zëlënckës. Ky qytet konsiderohet nga
arkeologët si paraadhësi i qytetit të Çorovodës.
Kjo lidhje bëhet duke u mbështetur si në objektet e
shumtë arkeologjikë e muzealë, ashtu në fondin
e madh të toponimeve.
Qyteti i Zëlënckës ishte ndërtuar në të
dya anët e lumit Osum, të cilat i lidhte ndërmjet tyre
ura e Sharovës.
Nga kjo urë ruhen në gjendje të mirë këmbët
e saj, që arrijnë në një lartësi prej 1.5
m. Madje mbi to është ngritur në kohët e vona
ura ekzistuese.
Por qysh nga shekulli II p.K. dhe për
shumë kohë më pas të dhënat mbi vazhdimësinë
e jetës në këtë qytet janë mjaft të
pakëta. Vetëm në shekullin VI,
në periudhën e dyndjeve barbare sllave,
ky qytet përmendet në publik, por tashmë me një
emër të ri CernoVodë (Uji i Zi),
sot Çorovodë.
Kur historianët antikë kanë kanë folur për
luftërat Iliro-Romake të shek II-III
p.K., përveç Antipatreas (Beratit), kanë përmendur
edhe vendbanimet e fortifikuar në lindje të saj përgjatë
luginës së Apsit (Osumit),
si Orgesi, Karagu e Gerunti. Këto
qyteza të fortifikuara përkojnë me Bargullasin,
Kalanë e Skrparit dhe të Prishtës.
Dihet që një vend me rëndësi në zhvillimin
e kulturës qytetare ilire në vendin tonë, zënë
vendbanimet qytetarë të tipit kala.
Edhe në trevat e Skraparit kjo lloj kulture është mjaft
e pranishme dhe është identifikuar nga studiuesit në
disa pika. Më e vjetra ndërmjet tyre është
Kalaja e Gradecit në Tomorricë, që i përket
shekullit VII – VI p.K.
Për nga arkitektura dhe teknikat
e punimit, edhe Kalaja e Prishtës
përfaqëson një qendër mjaft të zhvilluar
të jetës qytetare ilire. Treguesit
arkitekturorë të saj janë plotësist të njëjtë
me ata të Kalasë së Beratit dhe Irmajt
në Gramsh, por ndërkohë ngjasojnë shumë edhe
me kalanë e Zgërdheshit në
Krujë. Zhvillim më të vrullshëm, jeta qytetare
në kala mori në periudhën e antikitetit të vonë.
Disa nga kalatë me emër në historinë e trevës
së Skraparit janë: Kalaja e Lavdarit,
Dhoresit, Bregut të Koronit, Bargullasit, Prishtës, etj.
Traditat e jetës qytetare në kala e vendbanime të fortifikuar,
në zonat e Skraparit e ruajtën vazhdimisinë e tyre
edhe në periudhat e mëvonshme. Mjafton të përmendim
faktin se qytetarët e krahinës ruajnë me kujdes vlerat
kuturore të trashëguara nga Kalaja e Skraparit. Kjo kala
sipas specialistëve është ndërtuar në të
njëjtën kohë me kalanë e Tomorrit.
Kalaja e Skraparit është ngritur në majën e kodrës
përballë qytetit të sotëm, e quajtur kodra e Cerovës,
dhe që ndahet me të nga lumi Osum.
Një tregues tjetër i vazhdimësisë së jetës
mesjetare në Skrapar, janë dhe ndërtimet e
banjave (hamamet). Siç dihet, banjat ishin ndërtime
ma karakter publik, ku njerëzit përmbushnin mjaft kërkesa
të jetës qytetare mesjetare. Tipike për krahinën
janë banjat e fshatit Sllatinjë,
rreth 5 km në jugperëndim të
qytetit të Çorovodës. Sllatinja ëstë një
fshat që vazhdon të banohet deri në ditët tona,
banjat atje ruhen ende në gjendje relativisht të mirë.
Studiuesit mendojnë se këto banja janë të vetme
në llojin e tyre, jo vetëm në Skrapar, por në
të gjithë vendin.
Që në dekadate para të shek XV-të turqit kishin
vënë nën kontroll të plotë trevat shqiptare
nga Çamëria në Jug deri në lumin Mat. Të
gjitha këto treva bënin pjesë në Sanxhakun
e Shqipërisë, ku Skrapari ishte një nga 10 vilajetet
e këtij Sanxhaku. Pushtimi turk, ashtu sikurse për të
gjithë Shqipërinë, pati pasoja mjaft të rënda
edhe për popullsinë e Skraparit. Gjithësesi edhe gjatë
kësaj periudhe të vështirë krahina e Skraparit
kishte zhvillimin e vet.
Historiani austriak Karl Patch na sjell
një të dhënë mjaft të rëndësishme
në këtë rrafsh, në shënimet e tij ai hedh
dritë mbi një rrugë që niste nga qyteti i Beratit
dhe pasi përshkonte një pjesë të luginës
së Osumit, kthente në lindje, në kalanë e Tomorrit,
priste tërthor Luginën e Tomorricës dhe përfundonte
në Korçë.
Praninë e degëzimeve rrugore krahinore e ndërkrahinore
gjatë mesjetës e vërtetojnë dhe mjaft ura, të
cilat shquhen ehe për teknika ndërtimore solide. Për
rëndësinë strategjike të tyre veçojmë
urën e Kasabashit dhe urën e Sharovës.
Ura e Kasabashit mund të quhet me
të drejtë një monument kulture me vlera të rralla
arkitekturore. Ekzizston mendimi se projekti i saj është
bërë nga arkitekt Kasëmi,
një intelektual me fame evropiane. Sot kjo urë ruhet në
gjendje të mirë dhe vazhdon të funksionjë si nyjë
kryesore lidhëse midis zonave të krahinës.
Ura e Kasabashit dhe ajo e Sharovës janë
ndërtuar mbi dy degë të lumit Osum. Ato ndodhen
rreth 1 km larg qytetit të Çorovodës, përkatësisht
në Veri dhe në Jug të tij. Specialistët mendojnë
se ato janë ngritur rreth shekullit XVI-XVII,
ndërtimi i këtyre urave lehtësoi së tepërmi
komunikimin e popullsisë së Skraparit me qytetërimet
krahinore fqinje. Qysh nga kjo kohë u rrit vëllimi i shkëmbimeve
ekonomikë me qendrat e mëdha tregtare sidomos me Korçën
e Beratin.
Për më shumë vizitoni Muzeun Historik të Skraparit.